Ditën e sotme në orën dhjetë Sali Berisha do të paraqitet në SPAK, në zbatim të masës detyrim me paraqitje që ka vendosur gjyqtari i apelit të posaçëm.
Në vendimin e gjyqtarit, Berisha është i detyruar të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë dhe siç kuptohet oficerët e BKH nuk do bëjnë pushim gjatë këtyre dy ditëve për të administruar deklaratën e pranisë që firmoset nga ish kryeministri.
Ish-kryeministri akuzohet për korrupsion në lidhje me privatizimin e kompleksit “Partizani”, një çështje për të cilën SPAK thotë se ai ka përdorur postin e kryeministrit për të favorizuar pasurimin e familjes, përmes dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi.
Malltezi, i cili iu hoq masa arrest shtëpie, është dërguar në gjyq me akuzat për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Përveç Berishës dhe Malltezit, në këtë çështje janë përfshirë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, i cili akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim parash; Xhimi Begeja, ortak i Malltezit dhe trashëgimtar i tokës ku ndodhej ish-kompleksi “Partizani”, i akuzuar për pastrim parash; si dhe Andia Pustina, financiere e kompanisë “Homeplan”, e dyshuar për kryerjen e operacioneve financiare dhe ligjore që lidhen me pastrimin e parave. Në gjyq janë çuar gjithashtu edhe tre kompani: “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”, gjithashtu për pastrim parash.












Leave a Reply